Slider

Theater

Eldorado

“Eldorado” është vepër e dramaturgut të mirënjohur bashkëkohor gjerman Marius von Mayenburg, veprat e të cilit shquhen për frymën anti-borgjeze dhe kanë pasur e kanë një ndikim shumë të fortë në teatrin europian.

Marius von Mayenburg lindi më 21 shkurt 1972 në Mynih. Në vitin 1994, Mayenburg filloi studimet në Hochschule der Künste në Berlin. Drama e tij e parë, “Haarmann”, u vu në skenë në Deutsches Theater në Berlin më 1996. Që nga viti 1999 ai është dramaturg në Schaubühne në Berlin. Ai u bë i njohur kryesisht me dramën e tij “Fireface”, shkruar në 1997. Shfaqja ishte produksion i teatrit bashkiak të Mynihut më 1998. Më pas Marius von Mayenburg është i pranishëm në Teatrin Kleist në Frankfurt dhe në Deutsches Schauspielhaus në Hamburg.

Performanca e Hamburgut fitoi vëmendjen më të madhe të kritikës ndërkombëtare. Më vonë drama e tij “Perplex” pati premierën e saj në gjuhën angleze në Prill 201i4 në Sydney Theater Company në Australi dhe drama tjetër “Martiri” u shfaq në Teatrin Unicorn në Londër në Tetor 2015, por edhe në Kosovë më 2018. Te “Eldorado”, dramë e shkruar në vitin 2006, përtej pamjes së drejtpërdrejtë të teksturës shtrohet një pyetje kokëfortë: Si mund të vazhdojmë të jetojmë, kur krime të papërshkrueshme po kryhen në emër të demokracisë dhe qytetërimit Perëndimor?

Regjisor i shfaqjes është Stefan Çapaliku, skenograf Sadik Spahija, koreograf Gjergj Prevazi. Interpretojnë: Suela Bako, Ervin Doko, Andja Xhunga, Bes Bitraku, Ina Morinaj, Ledian Gjeçi.

Premiera e shfaqjes do jetë me datë 25 Tetor në Durrës. Më pas shfaqja do jepet edhe në Tiranë e Shkodër.

 

 

  • “Eldorado”
  • Data: 25.10. Ora:19.00 Premiera në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës
  • Data: 29.10. Ora:19.00 ArTurbina, Tiranë
  • Data: 30.10. Ora:18.00 ArTurbina, Tiranë
  • Data: 31.10. Ora:19.00 Teatri “Migjeni” Shkodër”
  • Hyrja e lirë!

 

 

Ky aktivitet është pjesë e Tetorit Gjerman 2019 "gur-gur bëhet URË". Të gjitha aktivitetet mund të gjenden në faqen tonë të internetit: www.tetori-gjerman.com dhe në aplikacionin tonë, të cilin mund ta shkarkoni nëpërmjet këtij linku: https://qrco.de/tetorigjerman