Slider

Të tjera

Të zbulosh misterin e parasë. Një vrojtim retrospektivë

Cila ështe gjëja e fundit për të cilën keni shpenzuar para dhe çfarë dini për personin nga i cili keni blerjen? Cilat janë realitetet e tyre të jetës, ëndrrat, dëshirat, çfarë historish kanë ata për të treguar? Peter Stamer dhe Ilya Noé kanë pothuajse dy javë që ndjekin rrugën e parave në Shqipëri. Ata do të prezantojnë rezultatet e tyre më 17 qershor 2022 në Qendrën për Artin Bashkëkohor ZETA.

Bashkëpunimi i ri mes dy artistëve nga Berlini u prezantua në aktivitetin “The other artist talk(s)”, i cili u zhvillua më 27 maj tek ZETA.
Stamer dhe Noé u lanë hapësirë njëri- tjetrit që të prezantonin ato që i konsideronin si veprat më interesante të tjetrit, të bënin pyetje dhe të prezantonin njëri-tjetrin. Kishte shumë për të diskutuar, edhe pse mbrëmja zgjati më pak se pesë deri në shtatë orë si ishte njoftuar. Për shembull, u diskutua projekti i Ilya Noé i vitit 2003 “ Deerwalk “: Në qytetin verior portugez të Vila Nova de Cerveira - toka e drerëve - falë ndërhyrjes njerëzore, me dekada të tëra nuk është parë asnjë dre i gjallë. Kështu, Noé me origjinë meksikane vendosi ta kthente drerin në qytet dhe filloi të hartonte zonën për ta rikthyer kafshën në hartën e qytetit që ajo kishte krijuar. Ajo i përshkoi të gjitha distancat me thundrat e bëra vetë; duke lënë kështu pas, gjurmë dreri me vezullim të artë.

Një tjetër temë ishte shfaqja nga Peter Stamer “On Truth and Lie in an Extra-Moral Sense”, e cila u shfaq edhe në Tiranë në vitin 2020. Ajo bazohet në një ese me të njëjtin emër nga Niçe dhe do interpretohet nga Frank Willens. Wills ndërvepron me një kub të ndërtuar me paleta druri të lirshme, të cilat përfaqësojnë kafazin e ndërveprimit konceptual të njeriut në botë. Bashkë me kafazin e drurit, në fund duhet rrëzuar edhe ai konceptual.
Megjithatë, kulmi i mbrëmjes ishte prezantimi i projektit të ri të Stamer dhe Noé: Rruga e parasë. Sipas Stamerit, udhëtimi duhet të fillojë në vendlindjen e Naim Frashërit në Bashkinë e Përmetit. Përveç portretit të poetit kombëtar, edhe shtëpia zbukuron kartëmonedhën 200 lekëshe, rrugën e së cilës artistët duan të ndjekin në çdo akt shkëmbimi. Pa plan, pa përkthyes. Që në vitin 2009, Stamer ndoqi rrugën e parave për reth 4000 kilometra përmes Kinës. Përgjatë kësaj ai takoi një mori njerëzish të ndryshëm dhe i regjistroi historitë e tyre në një film dokumentar. Edhe Noé gjithashtu trajtoi parimin e shkëmbimit në veprat e mëparshme si në projektin e saj Gifti(n)g, kërpudha të ekspozuara qeramike synonin t'u jepnin gjetësve të mundshëm një dhuratë, për të cilën ata kurrë nuk do të mund të përgjigjen në të njejtën mënyrë. Akti i shkëmbimit vendos një lidhje kalimtare midis atyre që shkëmbejnë, e cila humbet përsëri kur mallrat dhe paratë ndryshojnë duart. Nga ana tjetër, paratë që ndërmjetësojnë mes shkëmbyesve nuk ndalojnë së qarkulluari. Ajo vazhdon të lëvizë nga dora në dorë dhe kështu formon një "lidhje të padukshme" midis njerëzve, siç shprehej Karl Marksi, një nga kritikët më të mëdhenj të parasë. Duke marrë perspektivën e parasë dhe duke ndjekur rrugën e saj, Stamer dhe Noé janë në gjendje të zbehin ndikimin e shkëmbimit të mallrave për një moment dhe të përqendrohen te njerëzit që qëndrojnë pas saj. Do të jetë interesante të shohim se çfarë historish kanë për të na treguar ata nga Shqipëria. Për këtë do të mësojmë më shumë më 17 qershor.